Asambleja Komunale

Kuvendi i Komunës 

 Neni 49
49.1.Kuvendi i Komunës është organi më i lartë në komunë, i cili zgjedhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët në pajtim me ligjin për zgjedhjet lokale. Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka 41 anëtarë.
 
49.2.Pushteti dhe detyrat e komunës ushtrohen nga Kuvendi i Komunës dhe organet e tij, përveç kur përcaktohen ndryshe sipas këtij Statuti.
 
49.3.Të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës kanë të drejta të njëjta dhe të barabarta dhe mundësi për të marrë plotësisht pjesë në proceset e Kuvendit. Kuvendi i Komunës kujdeset që këto të drejta dhe mundësi të përfshihen në Statutin dhe Rregulloren e punës së tij.  
 
Funksionet e Kuvendit 
 
Neni 50
Kuvendi i Komunës miraton Statutin dhe e ndryshon atë. Vendimi për miratim apo ndryshim të Statutit, aprovohet nga 2/3 e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
 
 Neni 51
 Kuvendi i komunës e miraton Rregulloren e punës dhe mund ta ndryshoj atë, nëse konsideron se një gjë e tillë është e nevojshme. Vendimi për miratimin apo ndryshimin e Rregullores së punës, aprovohet më shumicë të anëtarëve të kuvendit të komunës.
 
 Neni 52
52.1. Kuvendi i komunës së Gjilanit funksionon në bazë të LVL, Statutit dhe akteve tjera nënligjore.
 
52.2. Kuvendi i komunës nuk mund t’i delegojë përgjegjësitë e veta për marrjen e vendimeve lidhur me:
a)        statutin dhe Rregulloren e punës, rregulloret komunale dhe miratimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e tyre;
b)        miratimin e buxhetit dhe planeve investuese;
c)        miratimin e çështjeve të tjera financiare, të cilat janë të rezervuara për kuvendin sipas statutit apo rregullores së punës;
d)        planin vjetor të punës dhe raportin vjetor;
e)         themelimin e komisioneve të kërkuara sipas këtij Ligji;
f)          Emërimin dhe shkarkimin e nënkryetarit për komunitete;
g)        zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendës kryesuesit të kuvendit komunës;
h)        nivelin e tarifave dhe ngarkesave;
i)          krijimin dhe përdorimin e simboleve, dekoratave dhe titujve të nderit të komunës, në pajtim me ligjin në fuqi;
j)          emërimin dhe riemërimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike;
k)        arritjen e marrëveshjeve ndërkomunale dhe brenda komunale;
l)          marrjen e vendimeve për t’u bashkuar me asociacione përfaqësuese të komunave të Republikës së Kosovës; dhe
m)      përgjegjësive të tjera që kërkohen me ligj.
 
52.3. Për marrjen e vendimeve, kuvendi i komunës mund t’ia delegojë pushtetin e tij komitetit të kuvendit të komunës, apo kryetarit të komunës. Kuvendi i komunës mund të tërheqë delegimin e pushtetit në çdo kohë.
 
52.4 Komitetet në kuadër të kompetencave të veta lidhur me çështjet e caktuara, mund t’i rekomandojnë Komitetit për Politikë dhe Financa dhe Kuvendit të Komunës shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve përkatëse.