KKSB e vlerėson tė mirė gjendjen politike dhe tė sigurisė nė Gjilan

 

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të mire gjendjen politike dhe të sigurisë në komunën e Gjilanit, në një takim të radhës, i cili është mbajtur të mërkurën, nën drejtimin e Omer Dakut, nënkryetar.


Klima e mirë politike dhe e sigurisë është motiv për punë dhe qeverisje të mirë, që janë parakusht i rëndësishëm për zhvillim më të shpejtë të një shoqërie, ka thenë Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, i cili është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin ndërmjet spektrit politik në Gjilan, që u manifestua edhe në seancën e fundit të Kuvendit, ku raporti i buxhetit për vitin 2010 u votua nga të gjitha grupimet politike.

 

Mustafa u shpreh i kënaqur edhe me  nivelin e ofrimit të shërbimeve për qytetarë, por nënvizoi se ende ka mundësi për t`i avancuar këto shërbime. Po ashtu, komuna e Gjilanit është një shembull i mire edhe për ofrimin e shërbime publike, siç janë furnizimi me ujë, ndriçimi publik, grumbullimi i mbeturinave dhe të tjera, ndërkohë që po bëhen përpjekje për të rritur efikasitetin më tutje në këtë sektor, i cili reflekton drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarit, ka thënë ai.

 

Ndryshe, edhe komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Ridvan Xhemaili ka thenë se në këtë tremujor ka pasur një ulje të aktiviteteve të kundërligjshme për 33 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, derisa policia ka vazhduar me arrestimin e personave të kërkuar nga gjykatat.

 

Sa i përket sigurisë përreth shkollave, që konsiderohen si pika më të ndjeshme, ai ka thenë se policia civile vazhdon të jetë e pranishme atje. Sipas drejtorit të Arsimit, Bujar Nevzati, siguria në shkolla pritet të përmirësohet dukshëm me ndërtimin e rrethojës për kompleksin e shkollave të mesme, që pritet të fillojë së shpejti, derisa e ka inkurajuar policinë që të vazhdojë monitorimin e sigurisë në afërsi të shkollave.

 

Për disa aktivitete konkrete të KKSB gjatë muajit të kaluar kanë folur edhe Omer Daku, nënkryetar i Komunës si dhe përfaqësuesi i policisë, Arsim Selimi.



Data: 30.03.2011