Kryetari i komunės miraton dorėheqjen e drejtorit tė Urbanizmit, Naser Sylejmani

 

 

Gjilan, 30 mars / Në takimin e rregullt të Këshillit komunal të drejtorëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka njoftuar se ai e ka miratuar dorëheqjen e drejtorit të Urbanizmit, Naser Sylejmani, derisa në vend të tij ka emëruar zonjën Bahrie Mahmuti, arkitekte, e cila deri tani ka punuar në sektorin e planifikimit në këtë drejtori.

 

Në të vërtetë, ish-drejtori i Urbanizmit, Naser Sylejmani, duke e parë se ka një konflikt interesi në postin e tij aktual, paraprakisht kishte ofruar dorëheqje te kryetari i Komunës.

 

Para se të vinte drejtor në Urbanizëm, Sylejmani kishte hyrë në punë me kompaninë A-DIZAJN, kompani kjo e cila ka projektuar plane rregulluese në Komunë, me çka ka rënë në konflikt interesi, të cilin rast ish drejtori Sylejmani nuk e ka paraqitur më herët te Kryetari i Komunës.

 

Kryetari i Komunës ka shprehur keqardhjen e tij në këtë rast, ndërsa ka deklaruar se, bazuar në punën e mëhershme të ish-drejtorit Sylejmani dhe atë të deritashme, akoma vazhdon të ketë besim tek ai dhe për këtë arsye ka vendosur që të mbetet shërbyes civil në drejtorinë e Urbanizmit, në një detyrë të dinjitetshme.

 

Në takimin e sotëm të Këshillit të drejtorëve, kryetari Mustafa ka paralajmëruar një fazë të zhvillimeve më dinamike gjithandej Komunës. Ai me këtë rast ka kërkuar nga drejtoria e Shërbimeve Publike, Urbanizmi dhe Inspeksioni që t`i kushtojnë rëndësi të veçantë mirëmbajtjes së qytetit, zonave të gjelbëruara dhe pastrimit të hapësirave gjelbëruese, lirimit të trotuareve etj.

 

Në mungesë të parkingjeve publike, fatkeqësisht, qyteti po funksionon keq në kuptimin e komunikacionit. Në këtë relacion, kryetari është shprehur i pakompromis ndaj uzurpimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje.

 

Në këtë takim është raportuar edhe për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që fillon me një prill, me ç’rast është thënë se përkundër vështirësive, ky proces do të jetë i suksesshëm.

 

Lidhur me aktivitetet e tyre kanë raportuar shkurtimisht edhe disa prej drejtorëve.



Data: 30.03.2011